top of page

Vrasësi i Marios u pa pranë shtëpisë së tij, familjarët: Nuk kemi folur nga e marta

  • Writer: TheAlbanian Times
    TheAlbanian Times
  • Apr 13, 2018
  • 2 min read

Vrasja e 28-vjeçarit Mario Majollari ka vënë në lëvizje policinë për të gjetur autorin e dyshuar.

Majollari dyshohet se u vra për shkak të hakmarrjes, pasi i ati kishte vrarë dy persona në vitin 2000 dhe po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për këtë krim.

Në kërkim nga policia për vrasjen e 28-vjeçarit është Petrit Gjuzi, vëllai i njërit prej viktimave të të atit.

40-vjeçari disa ditë para ekzekutimit ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve pranë shtëpisë së Marios dhe dyshohet se studionte terrenin, shkruan gsh.al.

Familjarët e Gjuzit, i cili ka ndryshuar së fundmi emrin në Kastriot kanë dhënë deklaratën e tyre për policinë ku kanë mohuar hasmërinë me familjen e Marios.

Ata kanë thënë se nuk kanë dijeni për ngjarjen por nuk kanë komunikuar me 40-vjeçarin që prej ditës së martë, kur ndodhi vrasja.

Që prej asaj dite ata kanë treguar se Petritit, i cili ka ndryshuar emrin në Kastriot i del telefoni vazhdimisht i fikur.

Familjarët e Gjuzit kanë treguar:

Nuk e dimë se ku ndodhet. Për herë të fundit e kemi takuar mesditën e së martës. Në mbrëmje nuk erdhi në shtëpi. Nuk kemi komunikuar më me të. Në shtëpinë tonë nuk është folur asnjëherë për hakmarrje, as nga Petriti, as nga askush tjetër."

28-vjeçari Marjo Majollari u vra të martën poshtë pallatit të tij, me 4 plumba ndërsa dyshohet se vrasësi është Kastriot Gjuzi, banues në Tufinë.

Megjithatë, përveç motivit dhe faktit që Kastriot Gjuzi nuk është gjetur në shtëpinë e tij, apo në ambiente të tjera që frekuenton nga ana e Policisë, duket se ende nuk ka ndonjë provë tjetër të fortë në lidhje me përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në krim.

Autori që vrau Marion u largua në këmbë drejt rrugës së Tufinës, ndërsa në një rrugë larg kamerave të zonës e priste një automjet ngjyrë gri.

Fqinjët e Marios thanë se 28-vjeçari ishte aq djalë i mirë sa “fëmijët e donin shumë”. Madje fqinjët derdhën lot për të…nuk e besonin sepse sipas tyre Mario nuk i kishte bërë keq askujt! Mario kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Suedia, pasi atje i ishte refuzuar azili me pretendimin se Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. I riu thuhet se dilte lirisht me shpresën që krimi, për të cilin i ati po vuan dënimin (Mario asokohe kishte qenë vetëm 10 vjeç).


 
 
 

Yorumlar


bottom of page