Denoncimi: Alarm nga Lushnja, në çdo fshat 5 persona lëvizin natën
- TheAlbanian Times
- Apr 13, 2018
- 2 min read
Që kriminaliteti në Shqipëri është ende një fenomen shqetësues kjo nuk do shumë për t’u kuptuar, por si mund të minimizohet?!
Me ardhjen në pushtet Rama që nga mandati i parë rriti ndjeshëm numrin e efektivëve të policisë, mirëpo ajo që vihet re nuk është parandalimi i krimit, por veç kapja kryesisht e “sardeleve” në ujëra ku “peshkaqenët” bëjnë kërdinë.
As aksioni për mbledhjen e armëve nuk ka sjellë ndonjë ndryshim, pasi në çdo moment dikush mund të dalë në mes të qytetit dhe të kryejë vrasje dhe vjedhje me një armë nën brez.
Ajo që mbetet shqetësuese është denoncimi i një qytetari nga Lushnja.
Ai shprehet për JOQ.al:
Përshëndetje JOQ! Na ka kapluar një gjendje shumë problematike ne banorëve të fshatrave Bubullimë, Halilaj dhe Gjonas të Lushnjës.
Është një gjendje alarmante e paparë, pasi në çdo fshat kanë caktuar nga 5 persona roje që lëvizin natën duke përshkuar gjithë fshatin ku janë të caktuar, sepse hajdutët po bëjnë kërdinë çdo natë duke vjedhur bukën e fshatarëve dhe djersën e tyre.
Ku është policia në këtë vend që nuk i arreston këta hajdutë që nuk po na lënë gjë të gjallë, po na vjedhin bagëtinë, kryesisht marrin lopët.
Shpresojmë që shteti të bëjë diçka për ne!”
Prej kohësh zona e Myzeqesë është kthyer në "prenë" e preferuar të hajdutëve dhe çdo natë raportohen vjedhje nga fshatrat e Lushnjës dhe Divjakës.
Pra njerëz që vjedhin, njerëz që bëjnë punën e policisë duke bërë roje dhe shteti që bën sehir, a thua se jetojmë në Lashtësi, kur jeta organizohej me metoda të tilla, të gjithë kundër të gjithëve. Ah po, politikanët janë të zënë duke luajtur në Parlament “ma lage, ta laga”...
Por pse vidhet? Sepse populli po varfërohet, vjedhja është zgjedhje në këto kushte! Kështu që të dashur hajdutë, e kuptojmë që mund të keni halle, por dilni në protestë, mos vidhni mundin e atyre fshatarëve të gjorë që mund të jenë edhe më të varfër se ju.




Comentarios