Rrëmbimi i 11-vjeçarit shqiptar, ishte inskenim nga vetë i mituri
- TheAlbanian Times
- Apr 12, 2018
- 1 min read
Një 11 vjeçar shqiptar nga Ferizaj i Kosovës, ka bërë një inskenim të paparë të rrëmbimit të tij.
Është policia e Kosovës që dalë me këtë version zyrtar, që rrëmbimi i 11 vjeçarit nuk ishte i tillë, por një inskenim.
Policia ka bërë të ditur se zbardhja e këtij rasti, i cili në masë të madhe shqetësoi mbarë opinionin, është arritur pas sigurimit të të gjitha provave relevante, ndërkaq, sot, në prani të punëtorit social dhe të psikologes, është intervistuar i mituri, (E.T.), i cili e ka pranuar se rasti është inskenuar.
Sipas tij, rastin e ka inskenuar bashkë me dy djemtë e xhaxhait së tij, me punë në Belgjikë, (V.T.21 vjeç dhe D.T.19 vjeç).
Në njoftim thuhet:
I mituri, E.T. gjithashtu ka deklaruar, se rastin e kanë inskenuar me qëllim që i njëjti të përfitoj dokumentacionin valid të shtetit të Belgjikës. Pas grumbullimit të të gjitha provave, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, janë vënë në kërkim të kushërinjve të të miturit, por sipas familjarëve të tyre ata tashmë ishin kthyer në Belgjikë me të njëjtën veturë me të cilën edhe e kishin inskenuar rastin e rrëmbimit.
Policia e ka intervistuar edhe babin e të miturit, (A.T.), i cili e ka pranuar dhe vërtetuar se rasti është inskenuar, por sipas tij, ai nuk kishte qenë në dijeni.
Ky është rasti i dytë i inskenimit të rrëmbimeve. Kujtojmë që ditën e djeshme, dy vaja nga Tirana bënë të njëjtën gjë.
Por, vajzat përfunduan dhe të lënduara, për shkak se për ta bërë më reale ngjarjen, kishin goditur njëra - tjetrën.

Comments