top of page

Vala e emigrantëve/ Qepen vajzat, për 10 minuta sërish të virgjëra

  • Writer: TheAlbanian Times
    TheAlbanian Times
  • Apr 11, 2018
  • 3 min read

Rikthimi i emigrantëve sjell njëkohësisht një pik martesash në muajt e verës e në të njëjtën kohë dhe një bum kërkesash për rivirgjërim apo “qepje” të vajzave që kërkohen me detyrim të paprekura nga bashkëshortët e tyre emigrantë, që kanë lënë pas një Shqipëri të izoluar ose të paktën kështu të menduar prej tyre, ku femrat nuk dalin nga shtëpia.

Me dhjetëra vajza u drejtohen klinikave obstetrike-gjinekologjike për të rindërtuar himenin e virgjërisë.

“Qepja”, që quhet në gjuhën popullore, kërkohet prej tyre si një nevojë e domosdoshme për të krijuar familje apo për të finalizuar me fejesë një lidhje me një djalë konservator ose emigrantë që duan bashkëshortet e tyre të paprekura.

Fenomeni i rindërtimit të himenit, i prek të gjitha grupmoshat.

Emigrantët duhet të çmësohen me idenë se Shqipëria është rezervat virgjëreshash. Në bazë të një studimi që kanë bërë në gjimnazet e Tiranës rezulton se numri i vajzave që e humbin virgjërinë para se të mbarojnë shkollën e mesme është në rritje.

62 për qind e adoleshenteve, sipas studimit të kryer prej tyre, kishin pasur marrëdhënie seksuale para moshës 18-vjeçare. Studimi në pesë gjimnaze të Tiranës ka treguar edhe një numër të frikshëm” të marrëdhënieve edhe në një kohë më të hershme. 15-20 për qind e vajzave kanë pasur kontaktet e para seksuale në moshën 13-vjeçare”.

Çmimi i kësaj ndërhyrjeje varion 300 deri në 1200 euro,varet se çfarë grade është dhe zgjat vetëm 10 minuta. Pas kësaj ndërhyre vajza nuk duhet të kryejë marrëdhënie seksuale për një javë, derisa të shërohet plaga.

Sajë kësaj ndërhyrjeje shumë vajza kanë arritur të ndërtojnë familje, edhe pse të mbështetur në një mashtrim. Ndërhyrjet e tilla kryhen më së shumti në klinikat private kudo në vendin tonë. Spitalet publike janë më pak ose aspak të frekuentuara, pasi vajzat u tremben thashethemeve.

Tirana, Durrësi, Shkodra dhe qytete të tjera të mëdha janë në krye të listës së këtyre ndërhyrjeve të veçanta gjinekologjike. Nuk ekziston një ligj apo rregullore ku ndalohet rindërtimi i himenit. Por nga ana tjetër ai nuk është as i ligjëruar.

Në rastet e pakta të shënuara në Maternitetet shtetërore, “qepja” shënohet si një diagnoze e zakonshme, për të shmangur problemet e mundshme. Vajzat dhe gratë në karrierë, që jetojnë në familje liberale e konsiderojnë këtë fenomen si të turpshëm. Sipas opinioneve të mbledhura për këtë shkrim, shumica drastike e konsideron mohim të të drejtave të gruas që cënon dhe psikologjinë e saj.

Daniela Kurti, socio-psikologe në Prokurorinë e Tiranës, shprehet se:

Është e trishtueshme të mendosh se për shumë njerëz vazhdon të mbetet tabu prishja e cipës së virgjërisë para se vajza të martohet, dhe kjo ndeshet kryesisht në zonat rurale të Shqipërisë. Në këto raste, fatkeqësisht nuk vlerësohet njeriu, por një cipë që vazhdon të mbetet simbol i ndershmërisë, por që në fakt nuk është e tillë. Kjo rrezikon emancipimin e shoqërisë, pasi virgjëria e një vajze është një çështje personale që ka shumë rëndësi për vetë vajzën dhe shumë më pak për të tjerët. “Virgjëria” nuk është sinonimi adekuat i ndershmërisë, moralit, sinqeritetit, pastërtisë femërore. Natyrisht që në mjaft zona të Shqipërisë virgjëria ruhet ende si një simbol i shenjtë, i destinuar t’i jepet njeriut me të cilin presupozohet të kalohet jeta. Edhe pse ky fenomen dekadat e fundit është zbutur së tepërmi, ekzistojnë mjaft njerëz të cilët e gjykojnë virgjërinë e femrës si elementin bazë të pastërtisë dhe ndershmërisë femërore.


 
 
 

Comments


bottom of page