Vëllai i gruas që vdiq i vuri zjarrin, mjeku: Ai ka probleme mendore
- TheAlbanian Times
- Apr 9, 2018
- 2 min read
Një i ri nga Vlora ka tentuar të djegë klinikën e mjekut gjinekolog Bejkush Shehu, i cili kishte qenë edhe mjeku që kishte ndjekur shtatzëninë e motrës së tij.
Mësohet se 27-vjeçari Musto Kapaj ka hedhur benzinë në klinikën e Shehut dhe i ka vënë flakën, mirëpo zjarri është fikur shpejt.
I riu ka marrë këtë veprim si shenjë hakmarrje ndaj 64-vjeçarit i cili thotë se kjo nuk është hera e parë që sulmohet nga i njëjti person.
Motra e djalit ka vdekur një vit më parë kur ishte duke lindur fëmijën e saj të tretë në Maternitetin e Vlorës.
Mjeku Shehu thotë se është hera e tretë që po sulmohet ndërsa thotë se nuk ka mbështetjen e duhur nga policia.
Ai ka treguar:
Herën e parë ka tentuar dhe më ka goditur brenda në klinikë, kur kishte edhe persona të tjerë. Ndërsa një muaj pas kësaj tentative, është afruar pranë klinikës sime me një thikë në dorë, por fatmirë- sisht e pashë dhe i jam shmangur. Ndërsa ky i fundit është rasti i tretë. Gjithçka lidhet me një ngjarje të 10 gushtit të vitit të kaluar, kur e motra e tij humbi jetën në maternitet gjatë lindjes së fëmijës së tretë. Personi duket se gjithçka e ka me mua. Ndërsa me familjarët e tjerë nuk kam pasur asnjëherë probleme. Por nga sa di, personi në fjalë ka problem mendore. Më ka krijuar një shqetësim që nuk e di se si do të zgjidhet."
Shehu thotë se i ka denoncuar të dy këto ngjarje por pas arrestimit, Prokuroria e ka lëshuar të riun.
Mjeku ka kërkuar:
Policia dhe Prokuroria të bëjnë punën e tyre, pasi jam në ankth dhe shqetësim mjaft të madh.Gjatë lindjes së fëmijës së saj të tretë, gruaja pësoi një komplikacion që ndodh rrallëherë gjatë lindjes, por mbetet një rast kur është e pamundur të shpëtohet. Fëmija shpëtoi, ndërsa nëna jo. Raste të tilla kanë ndodhur edhe në botë dhe janë të veçanta. Nuk është faji i mjekëve, kushdo qoftë ai. Nuk ka mjek në botë që dëshiron apo nuk tenton të bëjë më të mirën për pacientin e vet. Pastaj, gruaja edhe në dy lindjet e mëparshme kishte lindur me mua. Nuk kishim pasur asnjëherë probleme. Ky ishte rast i rrallë, që nuk ia uroj askujt t’i ndodhë, por janë komplikacione. Ai më akuzon mua, por edhe Maternitetin e Vlorës, por faji nuk është i mjekëve. Familjarët, di që kanë kërkuar dëmshpërblim nga spitali, por kjo është e drejta e tyre."



Comments