Thellohet pabarazia në Shqipëri/ Të pasurit po bëhen më të pasur, të varfrit më të varfër
- TheAlbanian Times
- Apr 9, 2018
- 1 min read
Sa më shumë “zhvillohet” Shqipëria aq më shumë rritet edhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka dërguar në Kuvend një raport për vitin 2017, çka tregon se të varfrit vetëm po varfërohen, ndërsa të pasurit rrisin pasurinë e tyre.
Sipas shifrave nga raporti i ASD 3.7% e depozituesve në bankat shqiptare kanë më shumë se gjysmën e parave.
Kjo shifër individësh që kanë para në banka, zotëron një pasuri në nivelin e 5.3 miliardë dollarëve, në kohën që kursimet në banka janë rritur me ritëm të ulët, vetëm 0.8% krahasuar me një vit më parë. Mesatarja shumëvjeçare e shtimit të depozitave në banka është 6.3%.
Në total janë 92 mijë individë që kanë më shumë se gjysmën e pasurisë, ndërsa pjesa tjetër afro 2 milionë e 300 mijë depozitues ndajnë tortën e 3.9 miliardë dollarëve, transmeton TvKlan. Gjithsej, vlera e depozitave në sistemin bankar në Shqipëri arriti në 9.2 miliardë dollarë.
Në 2016-n, 4% e individëve zotëronin 45% të totalit të depozitave, vlera e të cilave arrinte në 5 miliardë dollarë.
Ndërsa një studim i Bankës së Shqipërisë konstatoi se normën më të madhe të rritjes së kursimeve e kanë patur llogaritë e bizneseve, ndërsa 10 depozituesit më të mëdhenj zinin 6.1% të totalit të llogarive.
Me kalimin e viteve dhe përparimin e kapitalizmit në vend, kjo pabarazi do ndajë në mënyrë edhe më të dukshme klasat, ku klasa e mesme do bëhet edhe më e zbehtë, duke i lënë vendin dy ekstremeve: të pasur dhe të varfër.





Comments