U rrit nga ujqërit si Mogli, Pantoja tregon arsyen pse nuk kthehet në xhungël
- TheAlbanian Times
- Apr 8, 2018
- 2 min read
Një spanjoll i rritur nga ujqërit po përpiqet të përshtatet me jetën njerëzore, ende pas 50 vitesh pasi autoritetet e larguan atë nga kafshët me të cilat u rrit.
Marcos Rodriguez Pantoja u la vetëm 7 vjeç në zonën malore të Sierra Morenas në Spanjë dhe vetëm në moshën 19-vjeçare u gjet duke vrapuar gjysmë i zhveshur dhe mënyra e vetme e komunikimit që dinte ishin mërmëritjet.
72-vjeçari thotë se do të donte të mos ishte kthyer asnjëherë, ndërsa kujton se ishte i lumtur si fëmijë i rrethuar nga ujqër, duke përfshirë edhe këlyshët e ujqërve që e pranuan atë si vëlla dhe një ulkonjë që e ka ushqyer atë si të ishte nëna e tij.
Pantoja flinte në një shpellë mes lakuriqëve të natës, gjarpërinjve dhe drerëve, njoftoi El Pais, dhe ai akoma mund të komunikojë me kafshët përmes zhurmës dhe ulërimave.
Ai u mësua të ushqehej nga manaferrat dhe kërpudhat, si dhe të identifikonte cilat ishin të sigurta për t'u ngrënë.
Nëna biologjike e Pantos vdiq gjatë lindjes së tij ndërsa i ati vrapoi pas një gruaje tjetër.
Panto ishte vetëm 3 vjeç kur i ati e çoi në malin Sierra të Spanjës dhe e la të jetonte me një bari dhish. Bariu i mirë e mësoi si të përdorte zjarrin dhe si të bënte vegla pune përpara se papritur të zhdukej rreth vitit 1954, kur Panto ishte shtatë vjeç.
Historia i ngjan filmit të Moglit, mirëpo 72 vjeçari është më real se filmi dhe në moshën 19-vjeçare ai u gjet nga autoritetet spanjolle të cilat kuptuan se djali nuk mund të fliste asnjë fjalë, por vetëm komunikonte me ulërima.
Autoritetet e dërguan në një qendër rehabilitimi dhe i mësuan atij jetën njerëzore. Pantoja tashmë pas 50 vitesh ka deklaruar se do të donte të mos ishte njohur kurrë me botën njerëzore.
Ai ka treguar për "BBC" se është kthyer edhe njëherë në male, por është i zhgënjyer dhe nga mënyra se si zona ka ndryshuar, duke thënë se "nuk është ajo që ishte dikur".
Ai tha se ujqërit nuk e shohin më si vëlla.
Ai ka treguar për BBC:
Unë tani nuhas si njerëzit, vesh rroba. E kam menduar shumë herë për t'u rikthyer në xhungël, por tashmë jam mësuar me këtë jetë dhe ka shumë gjëra që nuk i kam pasur atje, si muzika apo gratë. Gratë për shembull janë një arsye e mirë pse qëndroj këtu."
Ai është miqësor me fqinjët në komunitetin e tij dhe ka vendosur të qëndrojë me njerëzit më mirë se sa të kthehet në shtëpinë e tij të mëparshme në male./Përshtati JOQ.al













Comments