top of page

Besimtarët ortodoksë përballen me një situatë të pazakontë në kishën e Fierit

  • Writer: TheAlbanian Times
    TheAlbanian Times
  • Apr 8, 2018
  • 2 min read

Mijëra besimtarë ortodoksë kanë pritur mesnatën e mbrëmshme pranë kishave për të kryer ritualin fetar, i cili sipas besimit përkon me Ngjalljen e Krishtit.

Mirëpo, në Fier ajo që duhet të kishte qenë festë është kthyer në makth, madje duke lënë edhe qytetarë të lënduar pas.

Dera e Kishës ortodokse në Fier ka qenë e mbyllur megjithëse oborri ishte i mbushur me qindra qytetarë që prisnin të të hynin brenda saj për të marrë dritën.

Sigurisht që çdo objekt fetar ka një përgjegjës, por ai i Kishës në Fier nuk është bërë i gjallë mbrëmë, qytetarët janë përballur vetëm me policinë a thua që ishin mbledhur për tubim protestues dhe jo për një festë.

Një qytetare ka shkruar për JOQ.al:

Përshëndetje JOQ! Dera e kishës në Fier ishte e mbyllur dhe ne nuk ndiem as ngjallje Krishti, por vetëm u bëmë copash për të dalë. Nuk e morëm vesh arsyen e këtij skandali, por policia që bënte sehir sikur ishim në protestë dhe jo në një festë fetare. Kur arritëm të dilnim pasi ishim bërë copë-copë ju drejtova furgonit të policisë e irrituar duke u thënë: Ç’më rrini ashtu si hunj këtu dhe nuk ndërhyni?! Dhe si për përgjigje më erdhi një e qeshur ironike. Mu duk vetja si në kohën e luftës, veçse me ndryshimin që ishim brenda oborrit të kishës.

Unë banoj në Durrës dhe për qejf erdha në Fier, por ta dija se çfarë do të ndodhte nuk e merrja mundimin të vija, traumatizova psikologjikisht 3 fëmijët mbrëmë, se fizikisht isha bërë si truproja e tyre.

Distanca nga shkallët e kishës te porta është shumë e afërt, priftërinjtë janë përgjegjës për këtë situatë të tillë që kaluam mbrëmë. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për mbrëmë, më saktë duhet të gjendet dhe policët e turnit të mbrëmshëm duhen pezulluar.

Besoj dhe shpresoj që dikur të bëhemi njerëz edhe ne shqiptarët për të mos përjetuar atë të mbrëmshmen sërish sikur të jemi bagëti!”


 
 
 

Comments


bottom of page