Plagosi me thikë 4 vetë, si nisi sherri në Elbasan: Pse më sheh?
- TheAlbanian Times
- Apr 7, 2018
- 2 min read
Një sherr banal mes dy grupeve ka përfunduar me plagosjen e katër personave në Elbasan, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë. Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 20:30, në lagjen “Syrja Dylgjeri”, shumë pranë postës së këtij qyteti.
Shtetasi Gëzim Shabani, i shoqëruar nga tre persona të tjerë në gjendje të dehur, është konfliktuar me katër persona, të cilët ndodheshin në rrugë.
Sipas dëshmitarëve, autori në gjendje të dehur ka sharë njërin nga personat me fjalë fyese dhe është ndeshur me reagimin e tyre. Shkak i konfliktit të nisur ka qenë pretendimi i personit të dehur “pse më sheh”.
Pas kësaj, ai ka nxjerrë nga xhepi një thikë dhe ka nisur të godasë njërin prej tyre dhe më pas edhe tre të tjerët. Më konkretisht, janë plagosur në pjesë të ndryshme të trupit shtetasit: E.Ç., 44 vjeç, Z.Ç., 19 vjeç, A.S., 42 vjeç dhe U.S., 18 vjeç, banues në Elbasan.
Të katër shtetasit ndodhen në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, jashtë rrezikut për jetën. Mjekët bënë të ditur se njëri prej tyre, 18-vjeçari U.S., ndodhet në gjendje më të rëndë.
Dëshmitarët në vendin e ngjarjes thonë se miqtë e autorit u përpoqën që të evitonin sherrin, por ai, në gjendje të dehur, nuk ka ndalur duke sharë dhe fyer të plagosurit dhe më pas duke i kërcënuar dhe goditur me thikë, shkruan Panorama.
Edhe pse ndërhyrja e Policisë ka qenë e menjëhershme, autori i identifikuar si Gëzim Shabani është larguar nga vendi i ngjarjes në kohë, por është prangosur më vonë, teksa u zbulua vendndodhja e tij në banesën e një mikut të tij. Sipas të dhënave nga hetimi, 39 vjeçari Shabani e ka provokuar vetë konfliktin me të plagosurit, pasi rezulton se ai rreth një javë më parë kishte pasur një sherr banal me vëllain e 18-vjeçarit të plagosur.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 06.04.2018 në Lagjen “Syrja Dylgjeri” shtetasi G.Sh në gjendje të dehur në rrugë është konfliktuar dhe dyshohet të ketë goditur me mjet të mprehtë shtetasit:
E.Ç., 44 vjeç, Z.Ç., 19 vjeç, A.S., 42 vjeç dhe U.S., 18 vjeç banues në Elbasan
Të katërt shtetasit ndodhen në spitalin Kirurgjik Elbasan jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorit
Njoftim për arrestimin
Policia arreston në kohë reale autorin që dyshohet se goditi me mjet të mprehtë katër shtetasit
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Elbasan, pas një pune të mirëorganizuar bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:
Gëzim Shabani, 39 vjeç banues në Elbasan.
Shtetasi i lartpërmendur, më datë 06.04.2018 në Lagjen “Sul Paprri” pasi ka dalë nga një local, në rrugë është konfliktuar dhe dyshohet të ketë goditur me mjet të mprehtë shtetasit : E.Ç., 44 vjeç, Z.Ç., 19 vjeç, A.S., 42 vjeç dhe U.S., 18 vjeç banues në Elbasan.
Të katërt shtetasit ndodhen në spitalin Kirurgjik Elbasan jashtë rrezikut për jetën.
Shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një konfikt i mëparshëm që shtetasi i lartpërmendur dyshohet të ketë patur me vëllain e shtetasit U.S.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.
Comments