I mituri nga Vlora u vetëvar, daja: Ishte i mërzitur sepse i humbi...
- TheAlbanian Times
- Apr 3, 2018
- 2 min read
Një i mitur nga qyteti i Vlorës ka tentuar t'i japë fund jetës duke u vetëvarur me litar, por për fat të mirë daja i tij e ka shpëtuar në momentet e fundit.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Akërmi të njësisë administrative Novoselë, kur 14 vjeçari me inicialet A.M është mbyllur në dhomën e tij dhe me një litar është vetëvarur.
Por vetëm pak minuta më pas në dhomë ka hyrë daja i tij i cili e ka gjetur të miturin në gjendje të pavetëdijshme. Menjëherë ai i ka hequr litarin nga fyti dhe është përpjekur ta risjellë në jetë dhe më vonë e kanë transportuar në spitalin rajonal.
I mituri është pyetur ditën e djeshme, pasi ka dalë nga gjendja e rënduar psikologjike, në mënyrë që të zbardhen shkaqet e aktit të ndërmarrë ndaj tij.
Sipas burimeve nga Policia, edhe pse familja ka tentuar ta mbajë të fshehtë ngjarjen, në xhepin e pantallonave të 14-vjeçarit është gjetur një letër, ku dyshohet se ai u përket sekteve fetare.
Dyshohet se ka qenë pikërisht përmbajtja e fletëpalosjes që mund të ketë ndikuar te djali i mitur, që më pas të marrë vendimin për t’i dhënë fund jetës. Ndërkohë, nga ana tjetër, familjarët e tij nuk kanë preferuar ta bëjnë publike një fakt të tillë, madje nuk kanë dashur që të komentojnë aspak gjithçka që ka ndodhur me djalin e tyre, në mënyrë që e gjitha kjo të mos rëndojë më shumë mbi gjendje e 14-vjeçarit.
Nga ana tjetër daja i 14-vjeçarit ka dhënë deklaratën e tij për nipin e mitur duke treguar se ditët e fundit kishte vënë re një sjellje shqetësuese të nipit të tij.
Por sipas tij e gjitha ishte për shkak të humbjes së një telefoni. Ai ka thënë:
Prej dita ditësh e kam parë pak të mërzitur sepse kishte humbur një telefon. Ai nuk ka lidhje me asnjë sekt fetar që mund ta ketë shtyrë për këtë akt. Ishte bërë i mbyllur këto kohë dhe thjesht kishte humbur interesin për lojërat e përditshme."

Comments