Rama: S'tërhiqem për taksën, banorët e zonës le të bëjnë abone
- TheAlbanian Times
- Apr 1, 2018
- 1 min read
Në një konferencë për media të mbajtur ditën e sotme, pas protestës në Kukës, Edi Rama është shprehur se nuk ka asnjë tërheqje për të bërë, ndërsa kuksianët e arrestuar gjatë natës i cilësoi si një tufë vandalësh, të cilët kaluan vijën dhe do të ndëshkohen për veprimet e tyre.
Ai u shpreh se realiteti është tërësisht ndryshe, ndërsa sipas tij, i gjithë problemi qëndron në dezinformimin që po bëhet nga media.
Kreu i qeverisë tha:
Ka nevojë për të luftuar dezinformimin që po bëhet në kanalet e Tiranës dhe në pasqyrën mediatike. Kjo kontratë është nënshtruar para një viti, kur kompania ka filluar punë dhe ka bërë goxha punë.
Ngrihet një furtunë në gotë dhe derdhet benzinë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët e mbi një investim që do të duhet ta dëmshpërblejë buxheti i përbashkët".
Teksa u pyet nëse çmimi për kalimin në këtë rrugë do të ndryshojë dhe nëse do të ketë lehtësira për banorët e zonës, për herë të parë Edi Rama foli për abone që do të reduktojnë çmimin.
Ai sqaroi:
Në kontratë është parashikuar sistemi i posaçëm për përdoruesit e rregullt dhe të shpeshtë të rrugës, për ata që banojnë në këto zona. Për banorët do të ketë një sistem të posaçëm që do t'u shërbejë. Kjo do të thotë se do të mund të marrin abone që reduktojnë çmimin. Kjo është elementare.
Sa i përket kush janë nxitësit e kësaj proteste, ata janë në sytë e të gjithëve. I di i madh e i vogël se kush janë.
Kompania ka bërë 15.2 milion euro investime mbrojtëse. Janë bërë investime për ura dhe mirëmbajtje tunelesh".

Comments