Kush ishte agjenti shqiptar i FBI-së që ndërroi jetë në Tiranë?
- TheAlbanian Times
- Mar 30, 2018
- 1 min read
Është një ndër të paktët shqiptarë që ia ka dalë të bëhet pjesë e agjencisë më ta madhe të inteligjencës në botë, por Hamdi Kosturi ka ndërruar jetë ditën e djeshme.
Mësohet se shqiptari iu bashkua FBI-së pasi kishte emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1999-2000.
Pasi mori pasaportën, Kosturi u bë agjent special për të ngjitur më pas një sërë shkallësh, derisa ia doli të bëhej pjesë e forcave federale të zbatimit të ligjit dhe sigurisë së Departamentit të Shteteve të Bashkuara.
Rreth dy javë më parë, ai u shfaq për publikun shqiptar përkrahë njerëzve që hetuan dhe zbuluan 7 grupe të strukturuara kriminale në shtete të ndryshme, të cilat kishin kontrabanduar rreth 1 mijë shqiptarë në drejtim të Mbretërisë së bashkuar, SHBA-ve dhe Kanadasë.
Por një javë pas këtij operacioni masiv, 39-vjeçari është ndarë nga jeta.
Agjenti me origjinë nga Fushë-Kruja mësohet se ka pësuar infarkt në shtëpinë ku jeton në Tiranë.
Dje në ambjentet e Policisë së Shtetit mbërriti edhe ambasadori amerikan në Shqipëri Donald Lu, i cili mori pjesë në një ceremoni së bashku me Ardi Veliun dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Kosturi ishte agjent special i atashuar pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Si pjesë e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, Kosturi këshillonte ambasadorin Lu për çështjet e sigurisë në mbarë botën.
Nënës dhe vëllait të Hamdi Kosturit, ju dorëzua një dekoratë mirënjohjeje për kontributin e rrallë që 39-vjeçari ka dhënë gjatë zbatimit të misionit të tij.


Comentários