Kim Jong-un del jashtë Koresë, takim i fshehtë me presidentin kinez
- TheAlbanian Times
- Mar 28, 2018
- 1 min read
Lideri engmatik i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, lajmëroi për një vizitë në Pekin, ku do të takohej me presidentin Xi Jinping, disa javë përpara takimit mes liderëve amerikanë dhe atyre të Koresë së Jugut.
Ky ka qenë udhëtimi i parë i liderit 34-vjeçar jashtë Koresë së Veriut, që prej vitit 2011, kur mori pushtetin.
Udhëtimi i Kim u bë në fshehtësi dhe siguri të jashtëzakonshme. Vizita u konfirmua vetëm pasi ai u nis nga Pekini, në përfundim të takimit, me një tren të blinduar, i cili nxiti kureshtjen e shumë personave.
Interesante është vajtja e tij në mënyrë misterioze në kryeqytetin kinez ditën e hënë. Kim përdori një tren të ngjashëm me atë që babai dhe gjyshi i tij përdornin më parë, për vizita të tilla, në udhëtime të huaja jashtë vendit.
Kim u takua me presidentin e Kinës, Xi Jinping, ndërsa në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, Ri Sol-ju dhe nga këshilltarët e tij të lartë.
Kim i bëri me dije liderit kinez se ishte i gatshëm të dialogonte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe pjesëmarrjen në një samit ku të mund të takonte presidentin Trump.
Ai deklaroi se kishte marrë parasysh edhe kërkesën për denuklearizimin e gadishullit korean.
Bisedat e tyre, veç të tjerash, bazuar në buletinin e publikuar nga agjencia kineze e lajmeve, Xinhua, ishin rreth programit të armëve bërthamore./JOQ.al


Comments