613 kg kokainë 90% e pastër, zbulohet ku do përfundojë pas ekspertimit
- TheAlbanian Times
- Mar 23, 2018
- 1 min read
613 kg kokainë ishte një nga sasitë rekord të sekuestruara në vendin tonë.
Kjo sasi e sekuestruar në një kontejner bananesh rreth një muaj më parë, prej ditësh në pritje për të përfunduar analizat.
Gjysma e saj ka rezultuar nga ekspertimi kimik 90 % e pastër.
Analiza e kryer në Laboratorin Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme po bëhet me anë të gazkromatografit, një aparaturë moderne që përcakton pastërtinë e lëndës narkotike.
Përpunimi nënkupton përzierjen me lidokainë, paracetamol dhe elementë të tjerë për të përfituar trefishin e sasisë mbi bazën e së cilës u bë përllogaritja e vlerës prej 180 milionë euro.
Është marrë nga një mostër për çdo pako për t'u përcaktuar përqindja e pastërtisë kimikisht, raporton Ora News. Paralelisht me këtë proces po kryhet edhe procedura e marrjes së shenjave të gishtërinjve dhe gjithçka do të gjendet do t’u çohet homologëve kolumbianë, maltezë dhe italianë pasi kokaina kaloi në këto shtete përpara se të mbërrinte në Shqipëri.
Në fund, kur e gjithë faza hetimore të ketë përfunduar, kokaina do të grumbullohet në repartin 100 në Mullet, ku do të ruhet nga Policia e Shtetit, deri në përfundimin e të gjitha hallkave të procesit hetimor dhe gjyqësor dhe më pas lënda narkotike do të asgjesohet.

Comments