Pensionet/ Sigurimi i detyrueshëm te privati, prek të punësuarit nën 50 vjeç
- TheAlbanian Times
- Mar 22, 2018
- 2 min read
Qeveria ka pranuar tashmë zyrtarisht se do të ndërhyjë në skemën e pensioneve duke bërë disa ndryshime në kuadrin ligjor. Ndryshimet janë paralajmëruar edhe në deklarata publike nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, duke vënë theksin tek pjesa që lidhet me sigurimet për skemën në fshat.
Por “Monitor” mësoi se pjesë e debateve të fundit ka qenë edhe shtimi i kolonës së dytë në skemën e sigurimeve. Kjo kolonë është private dhe e detyrueshme dhe plotëson në total skemën me tre të tilla, ku është edhe shtetërorja e detyrueshme dhe private vullnetare. Dy të fundit janë sot ekzistuese.
Naim Hasa, administrator Fondi i Pensionit Vullnetar SIGAL konfirmon se Shoqata e Siguruesve të Jetës e Pensioneve, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore janë në diskutime të vazhdueshme për të gjetur një model të përshtatshëm.
Hasa shprehet:
Është marrë nja angazhim politik për ndarjen e kontributit shoqëror në mënyrë të detyrueshme, kryesisht për moshat e reja nën 50 vjeç edhe në kontribut individual që do të menaxhohet nga Kompanitë Private të Pensioneve. Ky proces po drejtohet nga Ministria e Financave dhe ISSH, ku dhe shoqata jonë e siguruesve të jetës e pensioneve është palë e këtij procesi. Sigurisht, realizimi i kësaj reforme kërkon angazhim më të madh nga të gjitha strukturat, duke u ndërgjegjësuar të gjithë për të shfrytëzuar dobitë që sjell në treg ky produkt, në radhë të parë për popullsinë e siguruar por edhe për ekonominë e vendit.”
Kjo do të thotë që nga totali që sot paguhet si kontribut i detyrueshëm prej 23 për qind, një pjesë e tij të kalojë në skemën private. Diskutimet janë që kjo shumë të variojë nga 3-5 për qind të totalit të sigurimit të detyrueshëm, por të gjitha këto mbeten ende në kuadrin e një debati deri në miratimin e paketës finale ligjore, që do të bëjë edhe “korrigjimet” në skemën e përgjithshme të pensioneve.
Skema e pensioneve ndryshoi përmes një rishikimi të plotë ligjor në vitin 2014 sipas një drafti të hartuar nën asistencën e Bankës Botërorë. Edhe në atë kohë, shtimi i kolonës së dytë ishte pjesë e debatit, por që nga disa palë u cilësua si e parakohshme dhe u kërkua kohë për të parë ecurinë e përgjithshme të skemës. Në atë kohë, ndërhyrja ishte emergjente duke qenë se sipas të gjithë studimeve skema rezultonte e falimentuar dhe në afatgjatë mund të përbënte një rrezik serioz për buxhetin.
Nga ajo kohë, ligji për sigurimet i është nënshtruar ndryshimeve të vogla pa shumë efekt, ndërkohë që rishikimi që sot është në tryezë debati, pritet të jetë edhe më domethënësi në pesë vitet e fundit.
Për vitin 2018, qeveria parashikon që të arkëtojë 67 miliardë lekë nga sigurimet shoqërore ndërsa që vetëm në janar është arkëtuar 10 për qind e kësaj shume. Vlera neto e aseteve të fondeve të pensioneve vullnetare në fund të vitit 2017 ishte vetëm 13 milionë euro.

Comments