Gati rihapja e dosjes së Olldashit, nën hetim edhe gruaja e ish-ministrit të Ramës
- TheAlbanian Times
- Mar 20, 2018
- 3 min read
Dosjet e mëdha që kanë qëndruar të mbyllura për vite me radhë, me drejtësinë e re pritet të rihapen.
Me largimin e Adriatik Llallës nga Kryeprokuror, me sa duket ka marrë fund tashmë shqyrtimi në mënyrë selektive i dosjeve, duke kaluar në një hapje totale të tyre.
Një ndër këto dosje është dhe ajo e ndarjes nga jeta e ish ministrit dhe ish deputetit demokrat Sokol Olldashi. I cili humbi jetën afër pesë vite më parë në rrugën interurbane dytësore, Tiranë – Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari”.
Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA 003 NH i drejtuar nga vetë Sokol Olldashi ka qenë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan-Tiranë thuhet në njoftimin e policisë së asaj kohe.
Madje shkak i aksidentit mendohet se ka qenë humbja e kontrollit të automjetit si pasojë e kohës së keqe, të shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm. Automjeti nuk ka mundur të hyjë në një kthesë të fortë dhe është rrëzuar në një rrëpirë rreth 15 metra të thellë.
Ky është versioni zyrtar i organeve ligjzbatuese dhe që shërbyen për Adriatik Llallën që ta mbyllte dosjen dhe t’ia faturonte vdekjen e ish ministrit demokrat Sokol Olldashi “aksidentit automobilistik”.

Por pikërisht këtu filluan të lindin dhe dyshimet e para. Një hetim në kohë rekord i fakteve dhe heqja nga “axhenda” e pistës së vrasjes për të ndjerin. Pavarësisht se makina e blinduar e supermoderne dhe me amortizatorë e ish ministrit Olldashi kishte lëvizur më se 15 metra nga rruga drejt dhe afër vendit ku u gjet, ajo ishte batuar vetëm njëherë anash pa bërë asnjë rrotullim. Çka tregon qëndrueshmërinë e lartë të makinës ku amortizohen të gjitha goditjet. Dhe për më tepër pesha e rëndë nuk lejon përmbysjen dhe rrotullimet.
Të gjitha këto janë të shënuara në mënyrë të vagullt në dosjen e Olldashit, pa dhënë një qëndrim preciz se si ka ndodhur në të vërtetë aksidenti i pretenduar.
Mësohet gjithashtu se në vetë materialet që janë futur në dosje është futur dhe një fakt i tillë, sipas të cilit në makinën e të ndjerit Sokol Olldashi janë gjendur disa pika gjaku. Provë që pason ekspertizën e kqyrjes së kufomës së të ndjerit, ku është përcaktuar se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e përplasjes së kokës në pjesën e sipërme me pjesën e makinës.

Pikërisht në pjesën e butë të kokës sikurse quhet. Por dhe një mjek i thjeshtë e di se nëse përplaset koka te pjesa e butë dhe hapet kafka, atëherë sikur dhe të vdesë në vend, do të rrjedhë deri në 2.5 litra gjak, nga 5 litra që ka gjithsej një njeri normal.
Pikërisht këto dy pohime, shkaku i vdekjes ka qenë çarja në pjesën e sipërme të kafkës dhe gjakrrjedhja nga njëra anë dhe ai i gjetjes së disa pika gjaku në sediljen e makinës së të ndjerit Olldashi nga ana tjetër, kanë bërë që të dyshohet për përplasje faktesh.
Janë fakte që përjashtojnë njëra tjetrën dhe kjo ngre pistën e dyshimit se Olldashi është vrarë me mjete të forta jashtë makinës dhe është vendosur në makinë për ta lëshuar nga rruga drejt vendit ku i gjet.
Njëherësh ekziston dhe fakti se Olldashi ka qenë i shoqëruar në udhëtimin e tij. Thuhet se me të ka qenë bashkëshortja e një ish-ministri socialist, njëherësh motra e një deputeti aktual të Kuvendit të Shqipërisë.

Prokuroria pritet të rihapë dosjen e vdekjes së Olldashit duke marrë parasysh të gjitha provat, faktet dhe personat e dyshuar si të involvuar në vdekjen e tij. Apo dhe ata që kanë dhe dijeni.
Në këtë kontekst, mësohet se është marrë nën hetim dhe gruaja e ish-ministrit të Ramës njëherësh dhe motër e një deputeti aktual, e cila do të pyetet nga organi i akuzës dhe mund të hedhë shumë dritë mbi ndarjen nga jeta të ish ministrit dhe ish deputetit Sokol Olldashi.
Njëherësh mund të shpjegojë dhe arsyet pse është vrarë Sokol Olldashi, që deri më tani është zhytur në errësirë dhe në mister. Mister që ka shoqëruar shqiptarët për pesë vite me radhë, duke i dhënë rrugë shumë hamendësimeve. Por që askush nuk e beson se ka humbur jetën në aksident automobilistik.

Comentarios