top of page

Qajmë Shëngjinin, po Jalën kush po e "përdhunon"?

  • Writer: TheAlbanian Times
    TheAlbanian Times
  • Mar 19, 2018
  • 2 min read

Det kemi, por shtet nuk kemi, madje të gjitha të mirat na i ka dhënë natyra por që historikisht vetëm janë përdhunuar në emër të oligarkëve ekonomikë dhe politikë. Këtë javë u arrestua kryebashkiaku i Lezhës për tjetërsim pronash në bregdetin e Shëngjinit, ama Shëngjini është vetëm maja e ajsbergut nëse mund të shprehemi kështu për bregdetin tonë.

Bregdeti i Durrësit është shpërfytyruar nga ndërtimet buzë tij, ku kryesisht në zonën e Plepave pati një bum ndërtim apartamentesh dhe biznesesh por që tashmë janë kthyer në varreza pasi pushuesit po orientohen më shumë nga jugu i vendit dhe shumica dërrmuese e ndërtimeve kanë mbetur “stok”.

Krejt çka kanë lënë pas gjithë ato ndërtime nuk është rritja ekonomike, por vetëm shkatërrimi i paskrupullt i bregdetit. Kush mban përgjegjësi në këtë rast?!

Pas Durrësit zbresim në Vlorë, ku edhe pse vija bregdetare është e thyer, sërish kjo nuk ka penguar bizneset që të marrin leje nga pushteti për të gërryer kodrat që të ndërtohen hotele dhe restorante luksoze. Megjithatë përveç hoteleve, Vlora mban edhe “medaljen” e betonizimit a.k.a lungomarja.

Dhërmiu, një fshat që i ka rënë për pjesë turizmi dhe banorët aty janë shumë mikpritës dhe gjatë verës i kthejnë shtëpitë në “hoteleri” dhe kështu gjenerojnë ekonominë e tyre vjetore. Por, as Dhërmiu nuk është më i virgjër, nga një perlë, sot dramatikisht në çdo cep të vijës bregdetare të tij “lulëzon” ndërtimtaria, beton, beton, beton deri sa të bëhet edhe Dhërmiu uniform me bregdetet tjera.

Shkojmë në Sarandë, ku nuk merret vesh i pari me të fundit dhe nuk e di nëse je në bregdet apo thjesht po merr rreze në ballkonin e hotelit buzë detit. Këtu kush mban përgjegjësi ndër vite?!

Nëse për të mësipërmet nuk u çuditët, sepse fundja tashmë na duket si një film i parë, në Jalë, ndër vendet më të bukura jo të jugut por mbarë vendit tonë, përdhunimi me betoniere ka nisur këto ditë pranvere.

Bregdeti në Jalë nuk ka shumë vite që është “zbuluar” nga pushuesit, të cilët i tërhoqi menjëherë në masë të madhe, por siç duket bashkë me pushuesit ka tërhequr edhe oligarkët që nuk u ngopën kurrë.

Kush vë bast që i radhës që do betonizohet është gjiri i Gjipesë?!

Kush e mban përgjegjësinë për këtë shkatërrim, keqmenaxhim dhe monopolizin të gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë?!

Në një kohë kur me mijëra familje shqiptare nuk kanë lekë për të bërë një javë pushime verore, bregdetet janë të mbushura me resorte miliona eurosh, çfarë paradoksi.../


 
 
 

Comments


bottom of page