Plazh nudo në vitet '55 në lumin Drino? Historitë e pathëna në zonën ushtarake
- TheAlbanian Times
- Mar 18, 2018
- 2 min read
Në Gërhot (zoë e vjetër ushtarake), vilat që u ka mbetur emri “Pallaçinat”, në vitet ’55 banonin ushtarakë të lartë sovjetikë me familjet e tyre.
Ata me familje vinin edhe në qytet. Uleshin për kafe dhe gratë për ëmbëlsira tek pastiçeri Moska, më e preferuara në atë kohë, pas sallës së madhe të restorantit tek Sopoti, që gjithashtu shërbente për pritje e përcjellje, dreka e darka për delegacionet, deri ditën e përurimit te hotel Çajupit në sheshin e Çerçizit, në 1964.
Në sheshin e Çerçizit, gratë sovjetike vinin me Gaz 44 që e ngiste “Shoferi i Palortosë”. Në dimër të veshura rëndë, me pallto te mëdha e jaka me gëzof, në verë me fustane të gjera e me lule. Të mira e të dukura, të bardha në fytyrë.
Edhe pse jetonin në një qytet si Gjirokastra e atyre viteve, e varfër, të pasigurta në kalldrëmin e Qafës së Pazarit dukeshin të pamërzitura, gra të qeshura që dallonin.
Ato edhe psonisnin. Pazarin e bënin në Bashte të Teqesë për “lakra të egra” dhe fruta se pastaj një kohe më të gjatë edhe për të shkuar kohën e kalonin në dyqanin e tyre, “Dyqanin e sovjetikeve”, kështu quhej; furnizoheshin me ushqime, aty “gjeje nga të gjitha”, po vetëm për to.
Shumë gjëra kujtohen për familjet sovjetike në Gërhot po mbi te gjitha ka mbetur dhe sot nëse ato laheshin ose jo (karkacul) nudo në plazhin e tyre, “plazhin e sovjetikëve”, poshtë pallaçinave, afër me magazinën e Shametajve sot.
Ky emër ka mbetur, pagëzuar nga gjirokastritët që ç`është e vërteta, aty për t`u larë nuk shkonin, se kishin plazhet e tyre dhe më të bukura, me ujëra të pastër, me rërë e hije si tek Ura e Vjetër, po dhe druajtje kishin edhe pse në ato vite marrëdhëniet e miqësisë e dashurisë me Bashkimin e Madh sovjetik ishin të forta.
Siç thonë, ushtarakët sovjetikë, me gratë dhe fëmijët notonin mirë dhe bënin gara me njëri tjetrin, luanin me fëmijët e qeshnin shumë, sikur tregonin anekdota. Nën hijen e dy tre çadrave te mëdha, të bardha, mbanin ushqime, pije dhe fruta, sidomos shalqi dhe pjepër, raporton GjirokastraOnline.com. Mbi gurishtet dhe rërën shtronin ndonjë rrobë e fshiheshin me peshqire sa here dilnin nga uji. Ndonjë sapuniste trupin me shkume dhe lante kokën.
Ja kështu, po u fol se aty, në plazhin e tyre, laheshin dhe karkacul. Kaq duhej dhe kureshtarë, në bregun përballë plazhit të tyre, fshehtazi, pa rënë në sy, shikonin nga “vrimat” e shelgjeve ç`bënin e prisnin t’i “shikonin pa gjë”, sikundër ishte folur, por kjo me siguri nuk do ketë ndodhur.
Për ca në ato vite, sigurisht të moshuara, të laheshe në lumë si gratë dhe vajzat sovjetike edhe pse me rroba banjo ishte njëlloj si të dilje karkacul, ndaj dhe flitej. Ky opinion do ketë qenë, ndaj dhe është tepruar, është hapur fjalë se laheshin nudo.
Një gjë do thënë. Nuk njihen shembuj, të parat që kanë dalë për plazh me rroba banjo në lumin Drino e të vetmet kanë qenë gratë dhe vajzat sovjetike, se gratë dhe vajzat gjirokastrite e “populluan” lumin shumë e shumë vite më vonë që do të shkruajmë një herë tjetër!

Comments