top of page

Edi Rama: Emigracioni është i mirë, shqiptarët ikin për të njëjtat arsye si kroatët

  • Writer: TheAlbanian Times
    TheAlbanian Times
  • Mar 17, 2018
  • 2 min read

I pranishëm në një konferencë për sfidën e emigracionit, kryeministri Rama ka lëshuar një “perlë” teksa është shprehur se nuk largohen vetëm shqiptarët drejt vendeve më të pasura, por edhe ata të Bashkimit Europian.

Rama tha:

Në të gjitha vendet e reja të BE-së, Poloni dhe Kroaci për shembull, shohim se njerëzit largohen për të njëjtat arsye. Vetëm vitin e kaluar, nga Kroacia janë larguar plot 50 mijë njerëz, 90% e të cilëve të rinj. Por, ndryshe nga ne, ata nuk shënohen si azilkërkues sepse janë forca të lira pune që lëvizin për mundësi më të mirë punësimi dhe për integrim shoqëror në një vend më të zhvilluar të BE-së. Emigrimi jashtë vendit sot lidhet me mundësitë për punësimin, ndryshe nga vitet ’90. Secili ka të drejtën që të shkojë e të jetojë ku të dojë. Kush e vajton emigracionin si e keqe që ka mbërthyer Shqipërinë, e ka gabim.”

Shumë bukur deri këtu, por a nuk është Shqipëria ajo që ka mjaft vende pune të lira sipas qeverisë?

Kur të tjerë përveç kryeministrit krahasojnë sektorë të ndryshëm të vendit me ato në vendet e zhvilluara, Rama dhe sorollopët e tij të kundërvihen: Avash se s’mund të krahasohemi ne me ata.

Por, siç duket për “negativitet”, kryeministri e paska tagrin të krahasojë Shqipërinë me vendet e BE-së.

Megjithatë, kjo është një gënjeshtër aq e bukur sa as iluzionarët më të mëdhenj nuk do e besonin, të na gjejë kryeministri sa londinezë vendas emigrojnë, sa njujorkezë, sa kanadezë, sa australianë e kështu me radhë.

Sigurisht që në çdo vend ka emigrim, por emigrojnë studentë për specializime apo punësime në kompani amë me ato vendase, ndërsa shqiptarët emigrojnë për bukën e gojës, kjo është diferenca.


 
 
 

Comments


bottom of page