top of page

Vëllai i të masakruarit në Fier: E vrau shoku se e mbante me bukë

  • Writer: TheAlbanian Times
    TheAlbanian Times
  • Mar 14, 2018
  • 2 min read

Donjet Beqiraj, vëllai i 36-vjeçarit Kreshnik Beqiraj, i cili u vra, u copëtua dhe më pas u varros në fshatin Daullas të Fierit nga shoku i tij i dhomës, ka folur për mediat dhe ka treguar dyshimet e para, pak ditë pasi i masakruan të vëllanë.

Albert Zekaj, shoku me të cilin viktima ndante qiranë e shtëpisë, është autori i këtij krimi makabër. Siç tregon Donjeti, i vëllai me autorin janë njohur jo në një burg, por në një kamp në Gjermani, ku të dy prisnin të ekstradoheshin në Shqipëri.

Sipas rrëfimit që Donjeti ka bërë për "Panoramën", familja nuk e pëlqente Albertin si shok të të afërmit të tyre, por atij i vinte keq dhe e mbante afër. Në momentin kur Alberti nisi të mos përgjigjej për asnjë detyrim që kishte, si për ushqimin, edhe për qiranë e shtëpisë, nisi konflikti mes tyre.

Vëllai i viktimës, Donjeti, rrëfen:

Ishte shumë e papritur për ne kjo ngjarje. Daja im kishte nisur të dyshonte dhe më tha se mund ta ketë bërë shoku i dhomës, prandaj erdha nga jashtë shtetit (Gjermania) ku isha dhe bëra një denoncim tjetër.

Kishim shumë të dhëna që na çonin tek ai person. Nuk na nxirrnin në asnjë rrugë tjetër ato çfarë analizonim ne si familje. Për herë të parë, ne kemi denoncuar në datën 23, pasi në 22 qershor na iku vëllai. Ishin familjarët e m'i këtu. Ata shkuan, babai e daja që bënë denoncim, pastaj erdha unë në janar dhe kërkova konkretisht me emrin e Albertit.

Ata u njohën në kampin e kthimit në Belgjikë, jo në burg. Ishin pa dokumente. U kapën dhe do t’i kthenin në Shqipëri. Vëllai im i dha ndihmë atij. Neve nuk na pëlqeu kjo sepse nuk na pëlqeu ai si shok, por vëllait i vinte keq.

Vëllai mori shtëpi dhe e lanë që edhe Alberti të paguante një pjesë, por ky nuk paguante dhe nisën debatet. Atij iu la një afat për të ikur sepse hante, pinte dhe flinte me paratë e vëllait tim. Policia duhet ta zbardhë. Ne dyshojmë për çdo gjë tani se jemi të lënduar, mund edhe të kenë qenë persona të tjerë atje.

Këtu te ne ndodh kjo që të vritet shoku që të mban me bukë, që kujdeset për ty kaq kohë. Për çfarë ta vrasësh, se të kërkon që të mbash përgjegjësi për jetën tënde? Për këtë apeloj, shteti të marrë masa dhe ta dënojë maksimalisht këtë që të parandalohen të tjera ngjarje të tilla."


 
 
 

Comments


bottom of page