top of page

Nusja nga Kamza: Si i hodha helm në lëng, e futa në dhomë dhe e vrava vjehrrën

  • Writer: TheAlbanian Times
    TheAlbanian Times
  • Mar 14, 2018
  • 2 min read

21-vjeçarja Marjana Cmeta është autorja e vrasjes së vjehrrës së saj, Lirije Lami, ngjarje e ndodhur rreth një vit më parë. Autorja e ngjarjes ka rrëfyer se si helmoi vjehrrën, duke e menduar më parë çdo gjë.

Cmeta ka shkuar për t'u rrëfyer tek hoxha i zonës, pas peshës së rëndë të ndërgjegjes. Fillimisht, pasi Marjana i ka treguar se kishte vrarë vjehrrën e saj, hoxha i ka kërkuar të kthehet një ditë tjetër për të dëgjuar rrëfimin e saj të plotë.

Në rrëfimin e dytë të vajzës, hoxha Hysen Shehu ishte pajisur me një kamer ku ka mundur të regjistrojë rrëfimin prej 72 minutash të të resë.

Ajo tregon se pasi vjehrra, Lirije Lami, kishte shpërndarë qumështin dhe kishte shkuar në Kamës për të blerë fidanë, e ka ftuar për të biseduar me njëra-tjetrën.

Marjana Cmeta thotë në rrëfimin e saj:

E mora në telefon dhe i thashë që duhet të vinte brenda se ne duhej të pajtoheshim. Kur erdhi brenda i dhashë lëng portokalli. Në pije i kisha hedhur fostoksinë. Po përpëlitej. Donte të hapte dritaren dhe të kërkonte ndihmë. Aty mendova se mora fund.

E mbylla në dhomë, por zëri i saj në agoni sa vinte e rritej. Hyra në dhomë. Me xhaketën e leshit u mundova t'i zija frymën, ta mbytja. S'e mbyta dot.

Isha e fiksuar se vjehrra po më ndikonte në marrëdhënien time konfliktuale me bashkëshortin".

Janë 72 minuta rrëfim i të resë që hoxha Hysen Shehu i ka filmuar.

Por si arriti Prokuroria të vihej në gjurmët e videos?

Ka qenë vjehrri i autores së dyshuar, bashkëshorti i viktimës ai që ka shkuar herë pas here të ankohej pranë prokurorisë se nuk po hidhej dritë mbi këtë ngjarje. Ai kishte dijeni për videon që ndodhej në duart e hoxhës. Agim Saliu akuzonte prokurorët se ishin të korruptuar dhe se nuk po kryenin punën e tyre.

Ata e dinin se nusja ishte autorja e ngjarjes, ndërsa Oltjon Lami, djali i viktimës, i ka thënë prokurorit të çështjes se ish-bashkëshortja e tij kishte rrëfyer skemën e krimit dhe se ekzistonte një video që dëshmonte gjithçka.

Pasi kishte marrë vesh atë që kishte ndodhur, Oltioni ishte larguar nga shtëpia dhe kishte braktisur 20-vjeçaren, e cila ishte edhe shtatzënë.

Duke konstatuar shenjat në fytyrën dhe trupin e viktimës, prokuroria iu drejtua gjykatës duke kërkuar arrestimin e tyre.

Të akuzuar për këtë ngjarje janë Marjana Cmeta (nusja e djalit të viktimës), Agim Saliu (vjehrri i autores dhe bashkëshorti i viktimës), hoxha Hysen Shehu si dhe Arben Saliu (vëllai i burrit të viktimës).

Ka qenë hoxha Hysen Shehu ai që ka thirrur bashkëshortin e viktimës, Agim Saliun dhe i ka treguar mbi rrëfimin që kishte bërë nusja e djalit të tij. Ai nuk ka pranuar të marrë video-regjistrimin dhe është munduar të fshehë ngjarjen.

21-vjeçarja Marjana Cmeta, e cila është bërë nënë e një fëmije disa muaj më parë, rrezikon dënimin me 31 vite burg, pa lirim me kusht.


 
 
 

Comments


bottom of page