Si bleu Adriatik Llalla për një copë bukë tokën nga i burgosuri dhe e shiti 22 herë më shtrenjtë?
- TheAlbanian Times
- Mar 8, 2018
- 2 min read
Me sa duket, nuk kanë fund skandalet për ish-Kryeprokurorin e Shtetit, Ardiatik Llallën. Pasi atij dhe familjes së tij i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, një tjetër çështje e dyshimtë ka dalë në dritë kohët e fundit.
Bëhet fjalë për një denoncim të bërë nga Alpe News, në të cilin tregohet se si ish-Kryeprokurori ka blerë nga një person i dënuar nga drejtësia, për 1.5 milionë lekë një tokë ullishte në periferi të Tiranës dhe brenda pak kohësh e ka rishitur atë me një vlerë marramendëse.
Konkretisht:
Adriatik Llalla në shkresën poshtë që mban titullin: Kontratë shitje (pasuri e paluajtshme) figuron sikur ia ka blerë token Eduart Dushkut, një personazh shumë i njohur për drejtësinë, aktualisht i burgosur dhe që ka qenë i dënuar nga gjykatat shqiptare për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, e një seri tjetër akuzash nga më të ndryshmet.
Bëhet fjalë për një ullishte prej 3 000 metrash katrore në periferinë e lakmuar të Tiranës, për një çmim prej 1.5 milionë lekesh, ose vlerën qesharake prej 500 lekësh për metër katror.


Ky dokument i lëshuar përpara noterit, tregon edhe të gjitha koordinatat e vendndodhjes së kësaj pasurie.

Pasi ia ka marrë këtë pronë një personazhi problematik për drejtësinë (në këmbim të çfarë shërbimi?!) atëherë hapi i radhës është pajisja e ish-Kryeprokurorit të Shqipërisë me certifikatën e vërtetimit të pronësisë. Një akt që i jep mjaft vlerë pronës tashmë.

Në kartelën këtu poshtë të kësaj pasurie të paluajtshme, në rreshtin e fundit poshtë figuron emri i “blerësit” Adriatik Xhelal Llalla.

Pasi e ka kompletuar me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ullishten prej 3 000 metrash katrore në Tiranë, Adriatik Llalla hedh hapin e dytë. Pas disa kohësh, bën rivlerësimin e pronës dhe më pas hedh hapin e shitjes së kësaj pasurie, dikujt tjetër. Në këtë rast biznesmenit Ardian Beshiri. (Shkresat poshtë)

Nëse lexon me kujdes tekstin e kësaj kontrate shitje të pasurisë së paluajtshme, vetëm disa muaj pas blerjes me 1.5 milionë lekë, e njëjta pronë, pas asnjë investim dhe pas asnjë ndryshim në treg, e shet.

Shitja e sigurt, me para në dore tashmë është 22.6 herë më e lartë sesa ajo që figuron me letra në blerje. Nga vetëm 500 lekë për metër katror, kjo ullishte e artë shitet për 83 euro metri katror, ose një shifër totale prej plotë një çerek milioni euro. Ose 249 mijë euro cash në dorë, drejt e në xhepat e Adriatik Llallës.


Comments