Dikur i ulej në gjunjë dhe Berluskoni, sot "mjeshtri i madh" nga Vlora shet peshk në rrugë
- TheAlbanian Times
- Mar 8, 2018
- 2 min read
Ai është tashmë 59 vjeç dhe shet peshk në rrugë, pasi puna siç thotë edhe vetë nuk është turp. Por dikur Vendim Kapaj nga qyteti i Vlorës mori titullin "Mjeshtër i Madh" dhe përfaqësoi denjësisht qytetin e lindjes së tij me krenari edhe jashtë vendit.
Vendimi është instrumentist i madh, pasi i ka rënë fyellit qysh kur ka qenë një fëmijë i vogël.
Ai ka treguar për TCH:
Që 8 vjeç, sot jam 59 vjeç. I bija fyellit me dhëmbë derisa e perfeksionova. Me buzë, jo se nuk i bie, por e kam më të lehtë t’i bie me dhëmbë."
Por sot Vendimi është i papunë dhe në gjendje të vështirë ekonomike dhe medaljet e varura në mur nuk ia shuajnë urinë.
Arti të mbush shpirtin, por jo barkun, prandaj Vendimi del çdo ditë me biçikletën e tij dhe dy arka me peshk nëpër qytet. Siç thotë vetë, më shumë fiton nga peshku se nga fyelli. Lavdia e vetme që i ka mbetur janë certifikatat e çmimeve dhe nderimet nga nga ish-Presidenti Nishani apo ish-Kryeministri italian Berluskoni.
Ai është një shitës ambulant dhe me rregullat e reja shitësve si ai shpesh u sekuestrohet malli, të paktën në Tiranë.
Megjithatë ai ka kujtime të bukura nga vlerësimet që ka marrë prej figurave të njohura.
Vendimi ka treguar:
Kam qenë në Butrint, dëgjuan të dy kryeministrat. U ulën të dy në gjunjë, edhe Berluskoni. Ishte një kënaqësi e madhe."
Atij që si çdo artisti i janë përulur dikur shumë personalitete, sot nuk i del të blejë një shishe qumështi në fund të muajit. Megjithatë nuk përulet, thotë se do të bëjë çdo punë që do i japin për të mbajtur barkun me bukë.




Comments