Kapja e pelikanit kaçurrel, më në fund reagon dikush në mënyrë zyrtare!
- TheAlbanian Times
- Mar 7, 2018
- 2 min read
Mëngjesin e sotshëm në faqen në Facebook të "Jeta Osh Qef" është publikuar një foto e ardhur në adresë të redaksisë sonë nga persona të paidentifikuar.
Në të duken tre meshkuj, të cilët kanë hapur dhe mbajnë mes duarsh një shpend që është cilësuar në rrezik zhdukje dhe që duhet të mbrohet nga kushdo, e më shumë, nga institucionet përgjegjëse të zonave të mbrojtura.
Bëhet fjalë për pelikanin kaçurrel. Edhe më shqetësues është fakti se njëri prej personave në foto mban në dorë një armë, ç'ka të lë të mendosh se ndoshta e ka vrarë shpendin.
Edhe pse në vendin tonë nuk ndodh shpesh, kundrejt këtij rasti ka reaguar Ardian Koçi, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në qarkun e Fierit.
Ai ka bërë denoncim në Prokurorinë e Elbasanit për rastin, teksa kërkon gjetjen e personave që ndodhen në atë foto si dhe shpjegon se pelikani kaçurrel është specie shumë e rrezikuar në botë dhe me status të veçantë mbrojtjeje.
Koçi shton gjithashtu se e vetmja koloni e kësaj specieje ndodhet në parkun Divjakë-Karavasta.
Bazuar në raportimin e personit anonim që ka dërguar foton pranë JOQ.al, pelikani është vrarë në një prej fshatrave të zonës së Dumresë.
Edhe pse është një ngjarje aspak e këndshme, jemi të lumtur për faktin që të paktën këtë herë nuk do të na duhet të përsërisim shprehjen "askush nuk reagon".
Dikush reagoi ndaj një fenomeni negativ dhe ky është një hap i madh. Tani ngelet që organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre dhe të na informojnë në vijim nëse pelikani ishte vrarë apo thjesht ishte kapur për të bërë një foto.
Personi me armë në krah ngre shumë pikëpyetje...


Commentaires