Vjen reagimi i Ramës për listën e zezë: Ky ferr do jetë prej vërteti, nuk keni parë gjë akoma
- TheAlbanian Times
- Jul 13, 2017
- 2 min read

Është e vërtetë që lista e publikuar nga Rama me 100 emra që sipas tij përfaqësonin dhe kishin lënë gjurmë në korrupsion ngjalli goxha debat, sepse aty u përfshinë emra nga çdo lloj fushe e administratës dhe shërbimit nga më të dëgjuarit deri tek ata që nuk i njeh askush.
Por, pasi ka publikuar listën kryeministri i mandatuar për së dyti ka bërë edhe një reagim tjetër ku duket së shtrëngon dhëmbët akoma më shumë teksa drejtohet me fjalinë, “Ruani energjitë se nuk keni parë as dëgjuar gjë akoma, ferri në fjalë do jetë prej vërteti dhe jo digjital”.
Shkrimi i plotë:
PER LULET MOS ME PREK
Jam shumë i impresionuar nga reagimet e zhurmshme të luleve "Mos më prek" për emrat e zyrtarëve të rreshtuar në përmbledhjen e raportit të postimit Eksperienca Juaj Negative! Çfarë ka ndodhur që deri edhe opozita e vjetër dhe e re, qenkan alarmuar në pikën që të vënë kujën përmes vetë udhëheqësve të tyre?! Kësaj i thonë tamam, "Bir Selman i nënës kë të qaj më parë?!"...
Sidoqoftë po jap një sqarim për kë ka veshë të dëgjojë:
E para, emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur dhe nuk janë as "listë e zezë", as "listë shtrigash", as kurrëfarë gjëje tjetër përveçse një përmbledhje mekanike që ka bërë Skuadra e Shënimeve.
E dyta, përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë.
E treta, "lulet mos më prek" dhe gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë se nuk kanë parë e as dëgjuar gjë akoma!
Platforma online e Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm PER SHQIPERINE QE DUAM, e cila do të hapet me fillimin e punës së qeverisë së re, do të jetë ferri i kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm, jo vetëm duke u futur duart në xhepa po qoftë edhe duke u sjellë pa etikë me ta. Dhe nuk do të jetë një ferr thashethemesh digjitale nga qytetarë digjitalë që nuk tregojnë identitetin e tyre, po do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona dhe pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij!
Pa merak, gjithçka do të jetë morale, ligjore e transparente dhe ferri në fjalë do të jetë prej vërteti jo digjital, sepse boll u cfilit Shqipëria nga Tepsia dhe boll u pataksën njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nga ferrat e administratës shtetërore që janë rritur prej çerekshekulli në lekurën e Shqipërisë/joq.al/
Comentarios