Shenasi Rama: Ja spiunët e Sigurimit të Shtetit që themeluan PD
- TheAlbanian Times
- Jul 6, 2017
- 3 min read

Shenasi Rama, ish-themelues i PD dhe pjesë aktive e Lëvizjes së Dhjetorit, sot profesor në Universitetin e Nju Jorkut në SHBA, në përfundim të një turi në qytetet kryesore të Shqipërisë, ka artikuluar një deklaratë të pazakontë, e cila ka shkaktuar një turbullirë në kampin e djathtë. Shenasi Rama thotë se në vitin ’90, në Tiranë, nuk u mblodhën dot 300 firma për të themeluar Partinë Demokratike. Sipas tij, u mblodhën vetëm 285 firma. Për këtë të arsye, u përdorën njerëz të Sigurimit të Shtetit për të plotësuar numrin e firmave. Shenasi Rama thotë se disa personazhe që ngrefosen sot, nuk mblodhën dot firmat e kunetërve të tyre. Rama ka ironizuar edhe Aleksandër Meksin, i cili në librin e tij, shkruan se ishin 350 firma.
“Në një status të mëparshëm shpjegova se sa e vështirë ka qenë që të organizohej një parti opozitare në Tiranë në vitin 1990! Argumenti im ishte se për të legalizuar PD-në duheshin 300 firma, dhe se u mblodhën vetëm 285 firma, gjate katër ditëve, nga të cilat ishin 183 studentë. Pa studentët nuk kishte opozitë dhe opozita e vetme, e padiskutueshme dhe e vërtetë për disa kohë, ishin studentët. Këta që ngrefosen sot, nuk mblodhën dot firmat e kunetërve të tyre dhe kishte aq të futur sa u bëmë si ata rrobaqepësit privatë që i përdorte si bazë Sigurimi i Shtetit…Por nejse. Ja, del tani Leka Meksi dhe thotë se ishin 350…dhe se unë jam gabim. Mirëpo numrin 285 unë e kam marrë nga origjinali, që e ka botuar vetë Leka Meksi në librin e tij “Dhjetori ’90: Dokumente e Materiale” në Tiranë në vitin 2011 në faqet 103-112”, shkruan Shenasi Rama. Reagimi i Shenasi Ramës vjen disa ditë pasi Partia Demokratike kremtoi 25-vjetorin e themelimit, ceremoni e cila u dominua nga Sali Berisha dhe pasardhësi i tij në PD, Lulzim Basha. Pas këtij statusi, ka ardhur sërish një tjetër reagim i ish-kryeministrit, Aleksandër Meksi.
Spiunët në PD
Duke filluar nga Sali Berisha, Eduart Selami e Pjetër Arbnori, deri tek Jozefina Topalli, Astrit Patozi etj, janë plotë 11 figura zyrtarësh të lartë të Partisë Demokratike, të konfirmuar si "sigurimsa". Epitetet e nofkat e të cileve, gjenden të listuara në mënyrë figurative më poshtë, për hir të kërcënimit që përbënte koha kur u publikuan këto nofka.
Shenasi Rama, me anë të një alegorie, ka listuar edhe disa nga pseudonimet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët ishin pjesë e Partisë Demokratike. “Megjithatë, po sjell këtu romanin më të shkurtër shqiptar për tranzicionin, sepse edhe pas pastrimit të dosjeve, gjërat janë të ruajtura diku…dhe autori, Prof. Dr. Gjergj Mullaga, kur e shkruajti romanin më të shkurtër shqiptar të tranzicionit me 111 fjalë, “33 Vegimet e Dhjetorit” mendoi se kishte përfshirë edhe 33 jetë interesante duke shtuar këtu edhe Ndërtuesin etj, etj.…dhe drama të vërteta njerëzore të fshehura nën fjalët e veçanta dhe në Kuvendin Kombëtar të PD-së: “kur Masoviku u turr të merrte Koromanen e Misrit, Bualli i bëri Penicilinën Koranit të Myzeqesë, ndërsa Korçari i binte Çiftelisë për të dëgjuar Alfons Ballsha që pinte Cigare dhe puthte Dritën që i ra Çorapja se nga Televizori shikonte se si Raketa me ngjyrat e Tigrit u rrëzua mu si Çiklisti dhe Naftëtari i Urtë që si Studenti i Mirë ëndërronte të bëhej Anteu dhe për fat të keq përfundoi si Këndesi, Kaposhi apo Gjeli që lëshon Klithmën si Stilografi i Intelektualit Malësor që e shtrëngonte fort Dizenjatorja me Mendjen tek Kali dhe Pylli i Lëngaraqit që admironte se si Helika e Inxhinierit ngulej me forcën e Sqepit të Qukapikut”, shkruan Rama. Voal/shqiperiaime.al/
Comments