Shënohen incidentet e para në qendrat e votimit, përplasje në Kamëz dhe Himarë
- TheAlbanian Times
- Jun 25, 2017
- 3 min read

Raportohen probleme në një qendër votimi me numrat 15/61 në Kamëz, për shkak se në komision mungojnë 3 anëtarë të tij, përkatësisht nga Partia Demokratike 2 persona të caktuar për të qenë në komision dhe 1 person tjetër nga Partia Republikane.
Kështu procesi i votimit nuk është hapur ende edhe pse ka kaluar më shumë se një gjysmë ore nga orari zyrtar që ishte ora 7 e mëngjesit. Komisionerët e ndodhur aty tashmë treguan që po presin kolegët e tyre dhe hnuk dihet arsyeja e mos paraqitjes së tyre.
Ndërkohë, një incident tjetër është shënuar në Himarë ku votuesit nuk gjejnë emrat në listat e votimit dhe kjo ka sjellë konfuzion dhe sorollatje në më shumë se katër qendra votimi.
Gjithashtu incident ka pasur edhe në Dibër ku prej natës së mbrëmshme ka humbur vula dhe pritet zëvendësimi i saj.
Deri më tani këto probleme janë të zgjidhshme, përjashto incidentin e mbrëmshëm në Sarandë ku një komisionari i janë djegur tre makina në oborrin e shtëpisë.
Kujtojmë që këtë vit të drejtë vote sipas të dhënave zyrtare janë plot 3.452.260 shqiptarë, por mbetet të shihet nëse do votojnë të gjithë.
Mësohet se janë angazhuar 7 mijë forca policore, për të garantuar procesin zgjedhor, shkruan "BalkanWeb".
ORA 07:48 ELBASAN PROCESI VIJON NORMALISHT
Në qarkun e Elbasanit janë thirrur në votime 321.112 shtetas. Në shtatë bashki do jenë funksionale 540 QV, ndërsa numërimi do kryhet në 10 KZAZ. Janë në gatishmëri 589 forca policie. Paraburgimi i Bradasheshit me 180 persona. KZAZ nr. 44 është Peqini; KZAZ nr.45-Belshi; KZAZ nr 46-Cerriku; KZAZ nr. 47-48-49-50-Elbasani; KZAZ nr. 51-Gramshi; KZAZ nr 52-Librazhdi; KZAZ nr. 53-Përrenjasi. Renato Kumuria, inspektori rajonal i KQZ për Qarkun Elbasan deklaron se procesi i votimit ka nisur normalisht.
07:45 NE KUKËS PROCESI VIJON NORMALISHT
Rreth 173 qendra votimi janë hapur për votuesit e qarkut të Kukësit. Sipas KZAZ-ve në qendrat votimi janë hapur me kohë në orën 7:00 të mëngjesit dhe gjithçka është duke shkuar sipas parashikimeve dhe nuk ka pasur ndonjë parregullsi.
Sipas të dhënave të marra nga KZAZ-të në Kukës në votime janë thirrur 43 mijë e 837 qytetarë me të drejtë vote, në Has 15 mijë e 584 votues dhe në Tropojë 21 mijë e 690 votues. 89 qendra votimi janë në Kukës,34 në Has dhe 50 në Tropojë. Në nivel qarku deri tani numërohen në total 58 vëzhgues vendor nga ky numër 30 vëzhgues në Kukës, 13 në Tropojë dhe 15 në Has. Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve OSBE/ODIHR-i përbëhet nga 16 vëzhgues duke përfshirë edhe vëzhgues afatshkurtër. Deri tani nuk janë shënuar probleme.
07:40 PROBLEME EDHE NE DURRËS
Në Durrës procesi i votimit ka nisur me disa probleme. Në QV 96/1, në lagjen 8 nuk ka nisur ende procesi i votimit, për shkak të problemit me emrin e komisionerit të PD. Sipas gazetares Klodjana Haxhiaj, komisioneri i PD-së e ka emrin ndryshe në dokumentet. Nga qendra e votimit, kreu i Komisionit thotë se nuk është pranuar kjo gjë. “Ne nuk e kemi pranuar dhe presim te sqarohet situata, votimi nuk ka filluar ende”, pohohet.
ORA 07:30 PESHKOPI E PUKE, NE DISA QENDRA NUK KA FILLUAR ENDE VOTOMI
Në disa qendra në Peshkopi, votimi nuk ka nisur në orarin zyrtar. Kështu, QV 1139/1 ende nuk ka hapur dyert për votuesit ndonëse ora shënon 7:30.
Në QV 0392 në Pukë nuk ka filluar akoma votimi, dhe shkak është bërë një kuti e çarë
TE DHENA PER PROCESIN
Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit janë të nëntat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist në vitin 1991.
Ja disa të dhëna për këtë proces, që do mbahet të dielen:
– Zgjedhjet do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal
– Vendi është ndarë në 12 zona zgjedhore bazuar në 12 qarqet, ndërsa votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark
– Ne fletën e votimit renditen 18 subjekte zgjedhore

-Në garë konkurojnë 2666 kandidatë, nga të cilat 1073 gra
– Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 34, kurse ai i Kukësit më të vogël, 3 deputetë
– Zgjedhjet administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe 90 komisione të zonave të administrimit zgjedhor(KZAZ) të ngritura në shkallë vendi, 18 prej tyre në Tiranë
– Në të gjithë Shqipërinë do të funksionojnë gjithsej 5362 qendra votimi
– Për zgjedhjet e reja janë regjistruar rreth 3.452.260 shtetas
– 136.651 zgjedhës votojnë për herë të parë
– 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % janë femra
– Për procesin do të prodhohen gjithsej rreth 3.518.657 fletë votimi
– Kostoja financiare e zgjedhjeve llogaritet në rreth 734 milion lekë.
– Mbi 5300 vëzhgues, vendas dhe të huaj, do të monitorojnë zgjedhjet në ditën e votimeve dhe pas tyre.

Comments